EU web forum

Ndikimi i integrimeve evropiane në politikat e azilit dhe menaxhimit të migrimeve në Malin e Zi

Migrimet paraqesin një ndër fenomenet më sfiduese globale. Nga të dhënat e Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, në vitin 2014 janë regjistruar 866 000 kërkesa për azil, për 43% më tepër se në vitin 2013. Numri i azil-kërkuesve në Evropën jugore është rritur madje për 95%. Më së tepërmi azil-kërkuesit vijnë nga Siria, Iraku, Afganistani, Kosova, Eritrea dhe Nigeria, kurse në vitin 2014 është shënuar një rritje e konsiderueshme e numrit të azil-kërkuesve të ardhur nga Ukraina.
Ndikimi i integrimeve evropiane në politikat e azilit dhe menaxhimit të migrimeve në Malin e Zi
Portal AnalitikaIzvor

 Edhe Mali i Zi ballafaqohet me një presion të rritur migrimi duke konsideruar faktin e pozicionimit të tij në të ashtuquajturën rrugën Ballkanike, ndër më të frekuentuarat sa i përket emigrantëve të cilët kanë si destinacion final vendet e Bashkimit Evropian. Nga viti 2007 deri në qershor të këtij viti, në Mal të Zi janë regjistruar 8802 azil-kërkues. Në vitin 2013 janë paraqitur 3554 kërkesa, ndërsa në vitin 2014 ka pasur 2312 kërkesa, çfarë paraqet përqindje të lartë po të krahasohet me numrin e popullsisë vendase (p.sh në Serbi janë paraqitur 16490 kërkesa). Sidoqoftë, mbrojtja është miratuar vetëm në 14 raste, e arsyetuar nga ajo se numri më i madh i azil kërkuesve braktis vendin para përfundimit të procedurave për azil.

Për mbrojtjen e refugjatëve Mali i Zi është i obliguar nga një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut: Konventa e OKB-së për Statusin e Refugjatëve me Protokollin shtesë, Pakti Ndërkombëtar i të Drejtave Qytetare dhe Politike; Konventa e OKB-së Kundër Torturës dhe Akteve apo Dënimeve Tjera Mizore, Çnjerëzore apo Degraduese; Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Sidoqoftë, Bashkimi Evropian ka luajtur rrolin kryesor në zhvillimin e këtyre politikave pasi që ato ishin parakusht i liberalizimit të vizave në mes të Malit të Zi dhe BE-së. E drejta për azil është e garantuar me Kushtetutën e Malit të Zi, ndërsa procedura e fitimit të azilit dhe realizimi i të drejtave të azil-kërkuesve dhe refugjatëve është e rregulluar me Ligjin për Azil të vitit 2006 i cili pjesërisht është i harmonizuar me kornizën ligjore (Acquis) të BE-së. Mungesa e mbrojtjes nga gjyqësori, respektivisht kontroll të ligjshmërisë të vendimeve përfundimtare lidhur me kërkesat për azil, mosnjohja e institucionit vendi i sigurt i origjinës, vendit të parë për azil dhe dhe vendit të tretë të sigurt, të njohura nga legjislacioni i BE-së, janë vetëm disa nga mangësitë e këtij Ligji. Rregulloret ekzistuese nuk definojnë qartësisht aktet e persekutimit , procedurat kufitare si dhe kërkesat për azil të refuzuara.

55c3da8c-4b0c-479f-9d86-4912b0765237-marijaok-previeworg

Si problem paraqitet dhe mungesa e përkthyesve për gjuhët siç janë Urdu, Pashtu, Hindu si dhe mosekzistimi i përfaqësive diplomatike të vendeve të origjinës së emigrantëve. Kjo e vështirëson verifikimin e kërkesave për azil dhe përfundimisht ndikon në kohëzgjatjen dhe rezultatin e procedurës për azil. Poashtu, nuk janë ndërtuar mekanizmat për identifikimin e azil-kërkuesve në moshë të mitur (minoren) dhe kjo mund të paraqesë vështirësi për zbatimin e parimit të ndalimit të dëbimit të personave. Është e dukshme nevoja për ndërtimin e kapaciteteve për pranimin dhe riaftësimin e kategorive në rrezik të emigrantëve (fëmijë, gra, të mitur pa mbikëqyrje, persona me invaliditet), por gjithashtu edhe nevoja për socializim të personave me mbrojtje të miratuar, duke marrë parasysh se akoma nuk ekzistojnë programe të zhvilluara për integrimin e tyre në komunitetin lokal.

Duke konsideruar mungesat e lartpërmendura, nuk mund të themi se në Mal të Zi është themeluar një sistem komplet funksional për azil dhe për menaxhim të migrimeve i cili tërësisht mund t’u përgjigjet sfidave ekzistuese të migrimit dhe atyre në ardhmëri. Kjo bëhet edhe më evidente duke marrë parasysh faktin se për shkak të ngritjes së “murit” në mes Serbisë dhe Hungarisë (i cili paraqet pikën kufitare më të ngarkuar në rajon për nga numri i emigrantëve), një pjesë e konsiderueshme e azil-kërkuesve do të derdhet në Mal të Zi. Njëkohësisht, duhet konsideruar se rritja e numrit të emigrantëve të parregullt sjell edhe rritjen e numrit të organizatave kriminale të cilat merren me kontrabandën e tyre.

Për t’u përgjigjur këtyre sfidave është e domosdoshme të vazhdohet harmonizimi I ligjeve me rregulloret e BE-së, të cilat janë të parashikuara si obliguese me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në mes Malit të Zi dhe BE-së, nga viti 2010. Fusha fillestare e harmonizimit është e lidhur me Sistemin e Përbashkët Evropian të azilit i cili është themeluar në vitin 2008 dhe është rishikuar në vitin 2013, me qëllim që çdo shtetasi të vendit të tretë të cilit i nevojitet mbrojtja ndërkombëtare, t’i sigurohet statusi i përshtatshëm dhe respektimi i parimit të ndalimit të kthimit me forcë në një shtet tjetër, ku personi në fjalë do ishte i ekspozuar ndaj rrezikut të vërtet të persekutimit dhe shkeljes së të drejtave njerëzore.

Ky sistem përbëhet nga një numër rregulloresh, ndër të cilat më të rëndësishmet janë Direktiva për procedurat e azilit, Direktiva për kushtet e pranimit dhe Statuti Dublin II i vitit 2013, i cili rregullon kriteret dhe mekanizmat për përcaktimin e shtetit anëtar përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës për azil. Baza për formimin e këtij sistemi mbështetet në Marrëveshjen për funksionimin e BE-së, me të cilën Bashkimi Evropian definohet si hapësirë lirie, sigurie dhe drejtësie, pa kufij të brendshëm, në të cilët zhvillohet politika e përbashkët e migrimit që siguron lëvizjen e lirë të personave me një kontroll të caktuar të kufijve të jashtëm; si dhe në Kartën për të Drejtat Themelore të Unionit me të cilën garantohet e drejta për azil.

55c3dafb-39a0-4f38-93d6-4912b0765237-azilanti-previeworg

Me Ligjin e ri për Azilin, i cili do të adoptohet nga fundi i vitit 2015, do të implementohen direktivat e përmendura të BE-së, do të përdoret mbrojtja e gjyqësorit dhe to të mundësohet realizimi i të drejtës për arsim, sigurim shëndetësor, social dhe e drejta e punës, në të njëjtën mënyrë siç sigurohet për shtetasit malazez. Përveç implementimit efikas të këtij Ligji, është e nevojshme të themelohet një mekanizëm funksional integrimi për personat të cilëve iu është aprovuar statusi i refugjatit. Në mënyrë që të mbrohen kategoritë e rrezikuara të azil-kërkuesve, nevojitet ndërtimi i mekanizmave për identifikimin e nevojave të tyre, të rriten kapacitetet e qendrave për punë sociale dhe të zhvillohen programe të veçanta mbështetëse në institucionet kompetente për pranimin dhe kujdesin e këtyre personave. Si prioritet paraqitet themelimi i regjistrit elektronik për të mundësuar mbledhjen dhe përcjelljen e të dhënave të migrimit, si dhe definimin e politikave më të mira të kësaj fushe.

Të gjithë këto hapa duhet përcjellë me informim publik të përshtatshëm lidhur me obligimet e Malit të Zi në procesin e asocimit në BE, për çështjet e azilit dhe migrimit. Është e rëndësishme që si qytetarë të jemi të vetëdijshëm se Mali i Zi është pjesë e një sistemi ndërkombëtar mbrojtës dhe solidarizues ndaj refugjatëve. Përveç kësaj, në rrugën e aderimit për në BE, nuk ekzistojnë të drejta njerëzore më shumë ose më pak të rëndësishme, por ato janë të pandara dhe të lidhura në këtë proces. Fakti që azil-kërkuesit për momentin nuk e shohin Malin e Zi si vend-strehim, por vetëm si vend-kalim, nuk mund ta arsyetojë mungesën e përpjekjeve të mëtejshme që sistemi i azilit të përmirësohet, dhe azilantëve t’u mundësohet një jetë e sigurt dhe dinjitoze. Faza e re e integrimeve evropiane, që ka filluar me hapjen e negociatave për aderim, sigurisht që paraqet nxitje të fuqishme për realizimin e këtyre obligimeve, duke konsideruar ndihmën e rëndësishme administrative dhe teknike të cilën e ofron BE-ja për përgatitjen e ligjeve dhe forcimin e efikasitetit të institucioneve të cilat menaxhojnë me migrimet e përziera.

Portal Analitika