EU web forum

Në tatëpjetë (Procesi i zgjerimit te BE-së në Ballkanin Perëndimorë dhe perspektivat e tij)

Nëse gjatë viteve të fundit kemi folur për të ashtuquajturën "lodhje nga zgjerimi", sot ky konstruksion na duket si një qëllim pozitiv drejt të cilit duhet të synojmë, sepse lodhja padyshim është kthyer në ngërç që nuk premton asgjë të mirë në marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në periudhat e ardhshme.
Në  tatëpjetë (Procesi i zgjerimit te BE-së në Ballkanin Perëndimorë dhe perspektivat e tij)
Portal AnalitikaIzvor

Projeksioni i zymtë i një zyrtari të Parlamentit Evropian i cili që në vitin 2009 për asocimin e Ballkanit, ka folur si për “qëndrimin e gjatë në dhomën e pritjes” të cilin askush në Bashkimin Evropian nuk mund ta parashohë se sa do zgjasë, për fat të keq po realizohet. Nga projeksioni kanë kaluar plot shtat vite, ndërsa procesi i zgjerimit mund të karakterizohet si pozitiv, vetëm nëse i bashkëngjisim përcaktuesin e relativitetit në një masë të madhe.

Ndërkohë, as gjërat në Ballkan nuk kanë shkuar sa duhet në drejtim të mirë dhe rrënjët e këtyre proceseve të pakthyeshme duhet të kërkohen tek vetë ne, në vet faktin që perspektiva e anëtarësimit evropian ka qenë një nga motorët më domethënës për reformat në të gjitha vendet e regjionit tonë. Për fat të keq, ashtu si perspektiva e anëtarësimit dhe lakmimi për në Bashkimin Evropian venitet në disa vitet e fundit, të paktën për shumicën e vendeve të Ballkanit, kështu edhe motori i reformës gjithnjë e më vështirë niset dhe proceset prapanike fillojnë të zhvillohen në shumë sfera të jetës politike dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

Në Serbi, zgjedhjet e ardhshme të parakohshme mund të sjellin një qeveri të qëndrueshme, por jo një konsensus social të integrimit evropian (dhe Euro-Atlantik), që këtij vendi i është shumë i domosdoshëm. Qytetarët nga Qeveria e re (e vjetër) presin një jetë më të mirë me anë të përparimit ekonomik, rregullimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe përparimin në integrimin evropian. Megjithatë, forcimi i të djathtës ekstreme dhe ndikimi i fortë i Rusisë dhe forcave pro-ruse në shoqërinë serbe, do të jetë pengesë e vështirë e pakapërcyeshme për  kryeministrin, kapërcimi i së  cilës nuk do ta bëjë më të lehtë faktin se disa vende anëtare të BE-së e kanë kërcënuar me bllokimin e negociatave, të cilat nuk janë hapur as pas dy vitesh nga njoftimi i nisjes së tyre.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, situata është shumë e tensionuar, si ndërmjet entiteteve dhe strukturave të tyre politike, ashtu edhe në mes aktorëve politik brenda vet entiteteve, me një theks të veçantë në Republika Srpska dhe presionin e fortë të opozitës për rrëzimin e regjimit aktual. Përveç kësaj, B dhe H vazhdon të vuajë nga sindromi i "xhunglës institucionale", ku në disa nivele ka me qindra institucione të ngjashme, me kompetencat e ngjashme, gjë që procesin e vendimmarrjes dhe reformave institucionale e shoqërore, e çon në thelbin e çështjes ose në rezultatin individual të presioneve të jashtme. Reforma e Marrëveshjes së Dejtonit nuk ka  perspektivë dhe është e vështirë të imagjinohet se një status quo i tillë të sjellë stabilitet në këtë vend në të ardhmen. Kandidatura është tani në duart e BE-së, por duket se as kushtet për pranimin e tij e as detyrat e brendshme që duhet të bëhen, nuk janë shumë të qarta, jo vetëm të Bashkimi Evropian, por as strukturave boshnjake.

Në Kosovë, kriza politike afatgjate ngadalë del nga korniza lokale dhe fillon të prodhojë pasoja negative në rajon dhe në marrëdhëniet me BE-në. Bllokimi i Kuvendit të Kosovës nga opozita, refuzimi i marrëveshjes për bashkësinë me komunat serbe dhe i demarkacionit me Malin e Zi, kanë fituar dimension ndërkombëtarë të problemit, që ka shkaktuar reagimin e Bashkimit Evropian dhe subjekteve tjera ndërkombëtare. Proceset e paqëndrueshmërisë politike afatgjate në Kosovë kështu fitojnë intensitet, paralelisht me problemet akute ekonomike dhe të  papunësisë enorme, por akoma me statusin dhe marrëdhëniet e padefinuara me Serbinë. Fakti që pesë vende të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, në një masë të madhe e vështirëson  integrimin e saj evropian, e më këtë edhe ndikimi i perspektivës evropiane zvogëlohet në sytë e qytetarëve të Kosovës.

Në Shqipëri, kërkesat e gjëra politike të Bashkimit Evropian ndaj aktorëve politik në qeveri dhe opozitë, vazhdojnë të pengojnë progresin e mëtejshëm të këtij vendi për hapjen e negociatave. Është e qartë se diskursi politik midis qeverisë dhe opozitës në këtë vend nuk është krijuar brenda natës dhe për këtë aktorët evropianë duhet të marrin në konsideratë rrugët për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian. Problemet që kjo shoqëri politike përballet duhet të zgjidhen, sepse, sikur në rastet e tjera, mund të vijë në situatën e stagnimit në integrimin evropian e që  çon vetëm në thellimin e konfliktit te brendshëm.

Megjithatë, kur klasifikohen problemet në procesin e integrimit evropian dhe funksionimin e brendshme të jetës politike dhe ekonomike, imazhin më akut e jep Maqedonia. Analistët që para dhjetë viteve paralajmëruan se ngecja në procesin e integrimeve evropian dhe bllokimi i anëtarësimit në NATO nga ana e Greqisë, ka për ta çuar Maqedoninë drejt thellimit të krizës së brendshme dhe për fat te keq kjo është realizuar në një masë më të madhe se është parashikuar. Bashkimi Evropian ka qenë mjaft dobët ose joadekuat i angazhuar gjatë periudhës së kaluar dhe vetëm pas përshkallëzimit të krizës, ka marrë masat e caktuara, të cilat as sot nuk kanë rezultuar në zgjidhjen e konflikteve serioze të brendshme. Dhe në këtë, si në raste të tjera, përfshirja e SHBA-së do të jetë vendimtare, ndërsa autoriteti dhe ndikimi i Bashkimit Evropian do të vazhdojë të ketë një tendencë në rënie dhe tek strukturat politike dhe tek qytetarët e Maqedonisë.

Në fund të këtij tuneli të errët të integrimit evropian në të cilin ndodhet Ballkani Perëndimor, edhe pak dritë mund të gjendet në procesin e bisedimeve të Malit të Zi, të cilat po zhvillohen me sukses dhe ku mosmarrëveshjet dhe problemet e brendshme politike të cilat kanë kërcënuar më përshkallëzim më të madh, janë zgjidhur suksesshëm me angazhimin e aktorëve të brendshëm nga qeveria dhe një pjesë e opozitës. Gojët e liga do të thonë se përpjekjet  e strukturave të caktuara të Bashkimit Evropian kontribuojnë të kundërtën. Megjithatë, historia e suksesit të Malit të Zi, si i tillë, vetëm konfirmon se bëhet fjalë për përjashtim, dhe jo rregull të suksesit të procesit të pranimit dhe nganjëherë fitohet përshtypja që ky sukses relativisht i vogël evropian por i madh për Malin e Zi, shërben vetëm për të ruajtur një pamje të vitalitetit në politiken e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Por, të gjitha problemet e mësipërme të Ballkanit Perëndimor do të ishin shumë më të lehta për t’u zgjidhur po të kishte politika unike faktike dhe të vazhdueshme të BE-së ndaj procesit të zgjerimit. Për fat të keq, edhe pse vendimet formale dhe dokumentet në procesin e integrimit evropian e intensifikojnë atë, është e vështirë për të gjetur prova se ekziston vullnet i sinqertë politik i shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së që të ndjekin fuqishëm zbatimin e plotë të këtyre vendimeve.

Sigurisht, askush nuk mund të injorojë madhësinë dhe intensitetin e problemeve të brendshme me të cilat ballafaqohet  Bashkimi Evropian si një i tërë, por edhe një numër i vendeve të veçanta në planin e brendshëm.

Një seri e tërë krizash të cilat janë të fshehura nën tapetin brenda Bashkimit Evropian, në këtë kohë përshkallëzohen nga manifestimet e dukurive të cilat i kanë nxitur faktorët e jashtëm dhe të brendshëm. Kriza financiare në Greqi ishte pranë hundës së zyrtarëve evropianë për dekada të tëra, por askush nuk ka bërë ndonjë gjë serioze për ta parandaluar atë, e gjitha derisa gjerat nuk kanë dalë jashtë kontrollit, derisa nuk është krijuar krizë me përmasa epike që kërcënon kolapsin e BE-së, por krizë me përmasa globale. Ndërsa Greqia po fsheh të vërtetën nga BE-ja, BE-ja ka mbyllur sytë para fakteve dhe paralajmërimeve të ekspertëve.

Megjithatë, kriza greke nuk është situata e vetme në të cilën strukturat evropiane kanë standarde të dyfishta. Kështu kriza e emigrantëve ka nxjerrë në dritë ata procese të cilat në vendet e Bashkimit  Evropian zhvillohen për një kohë të gjatë. Rritja e shkalles së ksenofobisë dhe shovinizmit është përcjellë edhe me dëshmitë politike përmes rritjes se numrit të lëvizjeve të krahut të djathtë dhe të djathtës ekstreme; me partitë politike dhe me kapjen e pjesëve gjithnjë e më shumë formale ose sistemeve të tëra të pushtetit në vendet e Bashkimit Evropian.

Frika nga të huajt dhe flokulës populiste që përhapin lëvizjet e krahut të djathtë, por kundër të cilës as të majtët shpesh nuk kanë asgjë kundër, rezultoi me pasoja të përhershme politike, të tilla si rezultatet e referendumit holandez mbi traktatin e BE-së me Ukrainën. Përkatësisht, në rastin në fjalë shtrohet një pyetje teorike dhe praktike për përshtatshmërinë e institucioneve demokratike dhe të sistemit demokratik në përgjithësi. Kjo së pari për shkak se, si në këtë, edhe raste të tjera, qëndrimi i pakicës ekstreme imponohet si vlerë e përgjithshme për të gjithë ,nëpërmjet instrumenteve demokratike që nuk reflektojnë vullnetin e vërtetë të shumicës. Kështu, në rastin e Holandës vetëm 20 % e numrit të përgjithshëm të votuesve kanë marrë vendimin për të refuzuar marrëveshje me Ukrainën dhe kështu ka shkaktuar dëme të konsiderueshme tek të gjithë aktorëve në proces.  Shumica e heshtur ka mbetur e heshtur dhe ia ka lëshuar podiumin elementeve ksenofobike te cilat falë deklarimit haptas të të pavërtetave dhe zëvendësimit të tezave, kanë bindur publikun holandez në paqëndrueshmërinë politike të flokulës populiste.

Reflektimi i proceseve të tilla në Ballkanin Perëndimor ka bërë që sot të njëjtën recetë të ndërrimit të tezave e përdorin shumë politikanë të Bashkimit Evropian dhe në këtë mënyrë krijojnë një distancë afatgjate mes njerëzve dhe vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Një shembull i tillë është edhe luftë për të ashtuquajturin Brexit dhe krijimi i pakënaqësisë ndaj Ballkanit Perëndimor në opinionin publik të Britanisë së Madhe, nga as më pak as më shumë, por nga anëtarët e qeverisë dhe parlamentit të këtij vendi. Edhe pse këto deklarata janë pjesë e fushatës zyrtare britanike para referendumit, ato shkaktojnë pasoja shumë më të thella se sa duket në shikim të parë. Së pari, nga brenda, në opinionin publik të vetë Britanisë së Madhe, por edhe tek qytetarët e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, pohime të tilla të zjarrta, populiste dhe të përgjithësuara, krijojnë pasoja afatgjate në perceptimet negative dhe një seri paragjykimesh negative për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Kur njëherë mbillet një barë i tillë i rrezikshëm politik, është e vështirë për t’u çrrënjosur më vonë.  Deklarata të tilla zvogëlojnë edhe hapësirën politike manovruese për aktivitetin e ardhshëm politik të të gjitha strukturave politike në Mbretërinë e Bashkuar dhe për këtë deklaratat e tilla janë shkurtpamëse dhe të dëmshme për një kohë të gjatë.

Tjetër, deklarata të tilla nuk sjellin përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale në mes BM dhe vendeve të BP. Përkundrazi, fyerja e tyre dhe gjeneralizimi, negativisht ndikojnë në strukturat politike, dhe veçanërisht në qytetarët e thjeshtë të BP, tek të cilët paraqitet armiqësia dhe qëndrimi negativ ndaj BM dhe BE (në qoftë se ju nuk na doni neve, nuk ju duam as ne juve...).

Megjithatë, këto deklarata janë pasojë e orientimit të gabuar afatgjatë dhe të politikës së brendshme dhe të jashtme të Kameron, si dhe shumë politika të tjera të strukturave qeverisëse në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.  Megjithatë, një retorikë e tillë populiste sjellë dëme afatgjate të të gjithë aktorëve dhe atyre që e favorizojnë iu kthehet në planin e brendshëm dhe të jashtëm si një bumerang. Për fat të keq, procesi i zgjerimit dhe disponimi i qytetarëve të BE-së për anëtarësimin e shteteve të reja, janë viktimë e drejtpërdrejtë e qëndrimeve të tilla dhe pasojat e tyre do të ndihen në vitet e ardhshme.

Por, nga ana jonë nuk duhet të ketë llafosje të gjata për situatën në BE dhe ngadalësimin drastik të procesit të anëtarësimit. Neve na duhet që të zbatojmë të gjitha këto standarde dhe parime të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, madje edhe në rastet kur ato vetë nuk veprojnë në përputhje me atë se çfarë kanë shkruar. Kjo së pari është për shkak se, zbatimi i këtyre standardeve dhe vlerave, ngre cilësinë e jetës së qytetarëve tanë dhe reputacionin e shoqërive tona, por në fakt kjo është ajo çfarë duhet të përpiqemi për procesin e zgjerimit, pavarësisht nga data e hyrjes në BE.

Problemet e krimit, korrupsionit, varfëria e popullsisë dhe madje edhe aktivitetet terroriste në Ballkanin Perëndimor, ekzistojnë dhe ne vetë duhet ta përforcojmë luftën në frontin e brendshëm në të gjitha këto fusha. Jo për shkak të kritikave që vijnë nga individë ose qeveritë e Bashkimit Evropian, por për veten tonë dhe për një jetë më të mirë në vendet tona. Korrupsionin neve nuk na kanë sjellë të huajt, as nuk do të na heqin ata. Ne jemi ata të cilët në rend të parë duhet ta luftojmë këtë problem në të gjitha nivelet. Në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ne duhet të veprojmë bashkërisht brenda regjionit tonë dhe me një rreth të gjerë të faktorëve ndërkombëtarë. Krimi i organizuar ka kohë që ka marrëdhënie më të mira reciproke se strukturat tona shtetërore dhe të shoqërisë civile. Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë dhe të na inkurajojë që sektorët e avancuar të shoqërive tona t’i lidhim në përgjithësi dhe veçanërisht për projekte të përbashkëta të bashkëpunimit konkret në të gjitha këto fusha problematike, por edhe në të gjitha fushat e tjera progresive të bashkëpunimit.

Vetëm në ketë mënyrë, duke detyruar koalicionin për reforma të brendshme brenda vendeve dhe ne nivel regjional të Ballkanit Perëndimorë dhe me arritjen e rezultateve të reja të matshme, së bashku mund të krijojmë një fotografi të re të vendeve dhe qytetarëve të regjionit tonë tek te gjithë aktorët e Bashkimit Evropian.

Në këtë mënyrë, do të jepnim kontributin e  plotë për ringjalljen e procesit të zgjerimit dhe për të fituar të drejtën morale dhe politike që të kritikojmë me arsye plogështinë e aktorëve të Bashkimit Evropian në këtë proces.

 

Momçillo Radulloviq

Kryetarë i Lëvizjes Evropiane në Mal të Zi

Podgoricë, mars 2016

Portal Analitika