EU web forum

Zgjedhjet në Mal të Zi – çerek shekulli kërkim për demokracinë zgjedhore

Shkruan: Vlado Dedoviq Anëtar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Malit të Zi Drejtor i sektorit juridik të Qendrës për Monitoring dhe Hulumtim – CeMI
Zgjedhjet në Mal të Zi – çerek shekulli kërkim për demokracinë zgjedhore
Vlado Dedoviq
Vlado DedoviqAutor
Portal AnalitikaIzvor
 
Edhe pse nga mbajtja e zgjedhjeve të para shumëpartiake parlamentare në Malin e Zi, ka kaluar çerek shekulli, demokracia zgjedhore ende nuk funksionon në kapacitet të plotë. Proceset zgjedhore që janë organizuar në rrethana të ndryshme shoqëroro – politike dhe në rregullime të ndryshme shtetërore, kanë bartur me vete dy karakteristikat themelore. E para, që përmes konkurrimit politik dhe pjesëmarrjes të një numrit të madh të subjekteve politike në garat zgjedhore, është krijuar një iluzion i demokratizimit të shoqërisë me një legjitimitet (jo)kontestues të cilin pushteti e nxori nga rezultatet e arritura në zgjedhje. E dyta, proceset zgjedhore u njohën si periudha të keqpërdorimit të theksuar të resurseve nga partitë politike në pushtet, me qëllim të ruajtjes së pushtetit. Si kulminim i ambientit jostabil zgjedhorë, të karakterizuar me dukuri që shkaktuan kontestimin e zgjedhjeve dhe rezultateve të tyre, ndodhi afera “Snimak (inçizimi)”, e cila u bë shkak për të shkuar një hap prapa dhe për të rishikuar besimin e subjekteve politike në proceset zgjedhore. Nga ana tjetër, qytetarët (sipas hulumtimeve të realizuara kohë me parë) në një përqindje të madhe shprehën qëndrimin që zgjedhjet në Malin e Zi nuk janë të ndershme dhe të lira (CDT, 2014: 47% të qytetarëve konsiderojnë që zgjedhjet nuk janë të ndershme dhe të lira).
 
Garimi si kategori themelore e proceseve zgjedhore është vendosur në një masë të kufizuar në praktikën e deritanishme zgjedhore. Fuqia e elitave politike në pushtet, e akumuluar me qeverisje prej shumë dekadave, ka bërë që zgjedhjet të jenë kryesisht të privuara nga elementet e konkurrencës, pasi në këto zgjedhje pothuaj se nuk kishte hapësirë për subjektet tjera politike që të rrezikojnë pozitat e pushtetit. Megjithatë, në shikimin historik të zgjedhjeve në Malin e Zi, duhet të veçohen dy procese zgjedhore në të cilët ka ekzistuar një nivel i kënaqshëm i dinamikës politike dhe pasigurisë. Zgjedhjet Presidenciale të vitit 1997 ishin zgjedhjet e para në të cilat qytetarët patën mundësi të ndiejnë pasigurinë zgjedhore. Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve në krahasim me zgjedhjet në shtetet tjera, të cilat kanë kaluar nëpër procese të ngjashme tranzicioni, është që konkurrenca nuk është krijuar në relacionin pushtet - opozitë, por midis dy fraksioneve brenda partisë në pushtet (DPS – it të atëhershëm të bashkuar). Shembulli i dytë i zgjedhjeve konkurruese në Mal të Zi, ishin zgjedhjet Presidenciale të vitit 2013 në të cilat morën pjesë Presidenti “shumëdekadësh” i Malit të Zi dhe kandidati i pavarur i mbështetur nga blloku opozitarë. Zgjedhjet sollën një fushatë zgjedhore interesante që u shënua me kontestimin e kushtetutshmërisë së kandidaturës të kandidatit të partisë në pushtet, shkaktuar nga afera “Inçizimi” dhe thirrja për bojkot të zgjedhjeve nga partneri tjetër i koalicionit në pushtet. Në natën zgjedhore, shtabet e të dy kandidatëve shpallën fitoret deri sa Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk u prononcua dhe nuk kumtoi rezultatet e zgjedhjeve. Për herë të parë pas zgjedhjeve në Mal të Zi u shënua edhe iniciativa zyrtare e një pjese të partive parlamentare, që zgjedhjet presidenciale të shpallen të pa vlefshme dhe të përsëritet i gjithë procesi zgjedhor. Zgjedhjet parlamentare, nga ana tjetër, sidomos ato pas vitit 1998 kishin në vete një dozë pasigurie rreth angazhimit të partisë në pushtet për të formuar qeverinë. Prej atëherë e deri me sot, DPS nuk ka arritur rezultat zgjedhor i cili do t’i mundësonte që vetë të formojë qeverinë, ashtu që përmes veprimit në koalicion mbeti në pushtet. Vlera që duhen përmendur, të krijuara në zgjedhjet parlamentare pas pavarësisë së Malit të Zi, ishin projektet e reja politike të partive opozitare “indipendentiste” (Lëvizja për Ndryshime dhe Mali Zi Pozitiv), të cilët në zgjedhjet e para që janë paraqitur (2006 dhe 2012) arritën të shënojnë rezultate shumë të mira, të cilët më vonë në veprimin parlamentar të këtyre subjekteve, nuk u valorizuan dukshëm.
 
Ndër vetitë e përbashkëta të zgjedhjeve, duhet veçuar njërën, e cila ka karakterizuar pothuaj të gjithë proceset zgjedhore në Mal të Zi – dukuria e keqpërdorimit të resurseve shtetërore nga partitë politike gjatë procesit zgjedhor. Kjo dukuri ka paraqitur dhe vazhdon të paraqesë një prej modeleve të përcaktuara të sjelljes gjatë fushatave zgjedhore, me të cilin politikanët dhe partitë në pushtet, përmes keqpërdorimit të resurseve institucionale, financiare dhe mediatike, tentojnë të përfitojnë mbështetjen e votuesve në zgjedhje. Të njëjtat modele të sjelljeve gjatë proceseve zgjedhore, i demonstruan politikanët dhe partitë opozitare në komunat ku ushtrojnë pushtet. Kështu është krijuar fenomeni i keqpërdorimeve zgjedhore, të cilat më pas qytetarët i pranuan si të pritshme dhe në një mënyrë edhe si sjellje të pranueshme të subjekteve politike gjatë proceseve zgjedhore. Ekzistimi i disa garancive ligjore në legjislacionin pozitiv, me të cilin ndalohet përdorimi i resurseve shtetërore gjatë proceseve zgjedhore, deri tani nuk ka shënuar ndonjë efekt të dukshëm në praktikë. Në këtë kontekst pritet që Agjencia e re në luftë kundër korrupsionit, duke zbatuar me efikasitet Ligjin për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, të ketë një rol më të rëndësishëm në zbulimin dhe proçedimin e rasteve të korrupsionit politik në Malin e Zi. Kjo nënkupton edhe rivlerësimin e të gjitha rrethanave për aferën “Inçizimi”, si një prej detyrave të para të këtij institucioni.
 
Duke pritur zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen brenda një viti, shtrohet pyetja se në çfarë ambienti do të organizohen? A do të mund legjislacioni i ri zgjedhor, i cili është ndryshuar vetëm sipërfaqësisht dhe i cili ka në vete dilema të shumta nga aspekti i zbatimit të disa zgjidhjeve ligjore, të jetë garanci e pengimit të keqpërdorimeve zgjedhore? A do të përmirësohet dhe të lirohet nga ndikimi politik, veprimi i organeve për realizimin e zgjedhjeve? Dhe së fundi, pyetje më e rëndësishme është se a do të kenë qytetarët më shumë besim në zgjedhje dhe në integritetin e rezultateve zgjedhore, pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare?
 
Kriza politika dhe reforma e legjislacionit zgjedhor
 
Legjislacioni zgjedhor dhe harmonizimi i tij me standardet e OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës, ishte një prej shtatë prioriteteve themelore për Malin e Zi, për fillimin e procesit negociues për anëtarësim në BE. Edhe pse negociatat për miratimin e ligjeve zgjedhore zgjatën së tepërmi (madje shtatë herë është shtyrë afati për hartimin e ligjit zgjedhor), në këtë proces më së paku u fol për cilësinë zgjidhjeve ligjore dhe reformave të nevojshme në fushën e sistemit zgjedhor. I gjithë procesi është karakterizuar me mosmarrëveshje politike për çështje që nuk kishin asnjë pikë të përbashkët me çështjet zgjedhore (p.sh. statusi i gjuhës serbe në Malin e Zi), pa një vizion se si të harmonizohet legjislacioni me standardet ndërkombëtare dhe pa shqyrtime të ndryshimeve të mundshme të sistemit zgjedhor. Puna në ligjet zgjedhore ka kaluar pa pjesëmarrjen e publikut. Miratimi i legjislacionit zgjedhor në shtator të v. 2011, përveç implikimeve pozitive në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në BE, nuk pati ndonjë ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe të ambientit në të cilin u mbajtën zgjedhjet parlamentare (2012) dhe ato presidenciale (2013).
 
Si rezultat i krizës zgjedhore e cila pasoi pas zgjedhjeve presidenciale të v. 2013, Kuvendi i Malit të Zi filloi punën në rishikimin e legjislacionit zgjedhor, për të rritur besueshmërinë në proceset zgjedhore. Gjatë këtij procesi tërësisht është lënë pas dore thelbi i reformës së legjislacionit zgjedhor, i njohur gjatë arritjes së shkallës më të lartë të konsensusit politik rreth çështjeve kontestuese në kornizën institucionale dhe ligjore të rregullimit të sistemit zgjedhor në Malin e Zi. Mosbesimi i madh midis subjekteve politike, rezultoi me miratimin e ligjeve antikushtetues (Gjykata Kushtetuese i ka shpallur jo kushtetuese disa dispozita të Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve dhe të Ligjit për financimin e partive politike) e që edhe më shumë luhatën besimin e publikut në zgjedhje. Propozimet më të rëndësishme të organizatave joqeveritare në grupin punues, të cilët mbështeteshin në standardet ndërkombëtare për organizimin e zgjedhjeve, por edhe në analizat dhe raportet e misioneve vëzhguese vendase dhe ndërkombëtare nga proceset e fundit zgjedhore në Mal të Zi, nuk gjetën vend në Ligjin e ri zgjedhor të miratuar. Këto propozime, mes tjerash, kishin të bënin me ndryshimet për krijimin e kushteve për pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhje; me mekanizmat shtesë të kontrollit të procesit zgjedhor; profesionalizimin e plotë të administratës zgjedhore; realizimin e parimeve të barazisë gjinore dhe sigurimin e përfaqësimit më të madh të grave në trupat e zgjedhura, etj.
 
Sfidat e radhës
 
Duke pasur parasysh atë që u tha më lartë, si dhe interesimin që shkakton rëndësia e çështjeve zgjedhore në Mal të Zi, mund të konkludohet se reformat e vërteta të sistemit zgjedhor janë të pashmangshme. Mbase nuk është reale të pritet që procesi i reformës së sistemit zgjedhor të hapet para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, por cikli katërvjeçar pas zgjedhjeve duhet të shfrytëzohet për të krijuar një kornizë të re ligjore dhe institucionale për mbajtjen e zgjedhjeve në Mal të Zi. Përmes reformës së sistemit, duhet që seriozisht të shqyrtohet mundësia e futjes së sistemit të listave të hapura, zbatimi i të cilit mund të ketë reagime pozitive në zhvillimin e demokracisë brendapartiake në Mal të Zi; në krijimin e elitave të reja politike dhe ambientit të përgjithshëm politik të Malit të Zi.
 
Reformat e sistemit mund të përfshijnë edhe profesionalizimin e plotë të organeve të administratës zgjedhore - e cila do të bazohet mbi parimet e një administrate zgjedhore të pavarur dhe neutrale, e cila do të mbrojë ligjshmërinë e zgjedhjeve dhe nga e cila do të pritet që në vendimmarrjen e vet të mos ndikohet nga pushteti ekzekutiv, partitë politike apo subjekte tjera. Përfundimisht, në kontekstin e fushave prioritare të veprimit, reformat e sistemit zgjedhor duhet të përfshijnë edhe krijimin e kornizës së re ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve në nivel lokal në Mal të Zi, si dhe krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të para për Parlamentin Evropian në Mal të Zi. Vullneti politik për zbatimin e reformave dhe vizioni i reformave të sistemit zgjedhor në Mal të Zi, janë dy parakushte që duhet të ekzistojnë për të hyrë në procesin që do të rezultojë me krijimin e parimeve të reja për zhvillimin e zgjedhjeve në Mal të Zi. Deri atëherë, aktorët politikë, organet për realizimin e zgjedhjeve dhe institucionet e shtetit, duhet të krijojnë kushtet që në zgjedhjet e ardhshme të përmirësohet sistemi zgjedhor, në mënyrë që besimi tashmë i luhatur i qytetarëve në integritetin e zgjedhjeve dhe rezultateve zgjedhore, të mos shembet edhe më tepër.
 
Originalan tekst možete pročitati na sljedećem linku: 
 
Ovaj članak je napisan u okviru projekta "Rastimo zajedno 3 - Informacije o EU putem web portala" koji finansira Evropska unija posredstvom Delegacije EU u Crnoj Gori Članak ne predstavlja nužno službeni stav Evropske unije.
 
Portal Analitika